Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me ngjarje të ndryshme, ku nuk kanë munguar rastet e dhunës në familje, kërcënimet, grabitjet e armatosura dhe aksionet policore. Disa qytetarë iu drejtuan Policisë për të denoncuar dhunën dhe kërcënimet nga familjarët, ndërsa në Gjakovë dy persona të maskuar grabitën një argjendari, duke kërcënuar me armë personat që ndodheshin brenda. Në Prizren, ndërkaq, një aksion i Krimeve Ekonomike zbuloi produkte medicinale pa autorizim në dy barnatore.
Fushë Kosovë – Një 65-vjeçar ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke denoncuar djalin e tij 37-vjeçar për kërcënime dhe dhunë të vazhdueshme. Babai ka deklaruar se i biri e kanoste me fjalë dhe ushtronte dhunë ndaj tij, ndërsa ka pohuar se ai është përdorues i substancave narkotike. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorisë, ndaj 37-vjeçarit është iniciuar rast për veprën penale “Kanosja” dhe ai është ndaluar për 48 orë.
Gjakovë – Një grabitje e armatosur ka ndodhur në një argjendari në rrugën “Nëna Terezë”, ku dy persona të maskuar kanë kërcënuar me armë personat që ndodheshin brenda biznesit. Njëri prej tyre ua kishte drejtuar armën pronarëve, ndërsa tjetri kishte përdorur një çekan për të thyer dollapët ku mbaheshin stolitë. Të dyshuarit kanë marrë një sasi ari dhe para të gatshme, pastaj janë larguar në këmbë në drejtim të panjohur. Policia ka nisur hetimet për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Kamenicë – Një mosmarrëveshje familjare në fshatin Karaçevë e Epërme dyshohet se ka përfunduar me dhunë fizike. Një 51-vjeçare ka denoncuar vajzën e saj 24-vjeçare, e cila dyshohet se e ka goditur me çelësat e shtëpisë në pjesën e majtë të kokës, afër syrit, duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore. Nëna e ka raportuar rastin në Polici katër ditë pas incidentit, ndërsa Prokuroria ka udhëzuar inicimin e rastit për “Dhunë në familje”.
Klinë – Një hetim për zjarrvënie ka nxjerrë në pah edhe një rast të dyshuar të dhunës në familje. Hetuesit policorë, të cilët kishin shkuar në shtëpinë e një 44-vjeçari në rrugën “Ilir Merturi”, kanë takuar njerkën e tij 71-vjeçare, e cila u ka rrëfyer se ndihej e kërcënuar dhe e frikësuar nga thjeshtri. Ajo ka deklaruar se ai ushtronte dhunë psikologjike dhe e kërcënonte vazhdimisht. Pas denoncimit, me vendim të Prokurorisë, 44-vjeçari është ndaluar për 48 orë.
Fushë Kosovë – Një 29-vjeçare dyshohet se e ka kërcënuar me thikë vëllain e saj 23-vjeçar, pas një mosmarrëveshjeje mes tyre. Sipas denoncimit të të riut, motra e tij e kishte kërcënuar me fjalët: “Nuk dal nga këtu pa të therur”, derisa mbante një thikë në dorë. Rasti është iniciuar si “Kanosje” në kuadër të dhunës në familje, ndërsa 29-vjeçarja është ndaluar për 48 orë.
Prizren – Dy barnatore në Prizren janë vënë nën hetime pas një aksioni të Krimeve Ekonomike, ku janë zbuluar produkte medicinale pa autorizimin e nevojshëm për tregun e Kosovës. Gjatë kontrolleve, hetuesit kanë gjetur edhe depo të fshehta ku mbaheshin barna pa banderola, në kushte të papërshtatshme të ruajtjes. Dogana e Kosovës ka konfiskuar produkte farmaceutike në vlerë rreth 10 mijë euro, ndërsa dy persona, Ozan Pinduk (30) dhe Shaban Hashani (47), janë ndaluar për 48 orë. Rasti po hetohet për veprën penale “Prodhimi dhe shpërndarja e produkteve të dëmshme mjekësore”.
Hani i Elezit – Një 25-vjeçar nga Drenasi, i cili kërkohej nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Drenas, është ndaluar në pikën kufitare në Han të Elezit. Gjatë verifikimit policor është konstatuar se ndaj tij kishte urdhërarrest për ekzekutimin e një dënimi me burgim. Pas ndalimit, Bleorand Fadil Shala është dërguar në institucionin korrektues në Dubravë, ku do ta vuajë dënimin prej 80 ditësh burgim.
Prishtinë – Francë – Ramush Salihu, 42-vjeçari i dënuar me nëntë vjet e gjashtë muaj burgim për dhunim, ngacmim seksual dhe prezantim të rremë si person zyrtar, është ekstraduar nga Franca në Kosovë. Ai ishte në kërkim ndërkombëtar me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë. Salihu ka arritur në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” më 5 nëntor, rreth orës 20:35, ndërsa pas përfundimit të procedurave policore është dërguar në institucionin korrektues për vuajtjen e dënimit.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.