Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se arsenali i armëve i prezantuar nga Policia e Kosovës është gjetur në zonat përreth varrezave masive të zbuluara së fundmi në Zubin-Potok.
Në një konferencë për media, Sveçla tha se armatimi është hasur pranë zonave ku janë gjetur mbetjet mortore të 23 personave, në tri lokacione të ndryshme.
“Sekuestrimi i armatimit dhe zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve që u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit edhe në veri, sundimi i ligjit dhe bashkëpunimi institucional. Zbulimi i varrezave masive ka nxjerrë në pah dimensionin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë. Veriu i vendit pos që ishte skenë e krimeve, maltretimeve… u shfrytëzua edhe për fshehje të trupave”, ka thënë Sveçla.
Ai ka theksuar se institucionet e Kosovës nuk do të ndalen së kërkuari drejtësi për viktimat e luftës.