Dy të rinj janë ndaluar nga Task Forca në Gjilan, pasi gjatë kontrollit të veturës në të cilën ndodheshin janë gjetur substanca të dyshuara narkotike, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti ka ndodhur të premten, më 4 shtator, rreth orës 21:00, në Rrugën Qarkore në Gjilan.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, të dyshuarit janë Albin Kosumi rreth 20-vjeçar dhe Edonis Mustafa rreth 21-vjeçar.

Gjatë kontrollit të veturës, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 0.1 gram substancë të dyshuar kokainë dhe 0.89 gram marihuanë.

Rasti më pas është marrë në trajtim nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë, të cilët kanë intervistuar dy të rinjtë dhe kanë kryer testimin fushor të substancave të sekuestruara.

Sipas burimeve, testi fushor ka rezultuar pozitiv, duke përforcuar dyshimet se bëhet fjalë për substanca narkotike.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit për “Posedim të paautorizuar të substancave narkotike, psikotrope ose analoge”.

Pas përfundimit të intervistimit, të dy të dyshuarit janë liruar në procedurë të rregullt.

Rasti do të vazhdojë të trajtohet nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.