Të shtëna me armë zjarri pranë një shtëpie në Prishtinë kanë vënë në lëvizje Policinë, ndërsa pronari i shtëpisë ka ngritur dyshime se pas incidentit mund të qëndrojnë vëllezërit e ish-bashkëshortes së tij. Në vendin e ngjarjes është gjetur një gëzhojë, por personi që ka shtënë ende nuk është identifikuar.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur më 20 tetor 2026, rreth orës 22:00, në rrugën “Lezha” në Prishtinë.
Sipas informacioneve të siguruara nga Sinjali, E.V., rreth 53-vjeçar, ka deklaruar se atë mbrëmje ishin dëgjuar të shtëna me armë zjarri në afërsi të shtëpisë së tij.
I shqetësuar nga incidenti, Veseli është paraqitur në Polici të nesërmen, më 21 tetor, rreth orës 08:00, duke denoncuar rastin.
Por ajo që e bën më të ndjeshme këtë ngjarje është dyshimi që ka ngritur vetë denoncuesi.
Sipas burimeve të Sinjalit, viktima ka shprehur dyshimin se të shtënat mund të jenë kryer nga vëllezërit e ish-bashkëshortes së tij, megjithëse deri tani nuk është konfirmuar ndonjë përfshirje e tyre në incident.
Pas denoncimit, në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit policorë dhe njësia e Forenzikës, të cilët kanë ekzaminuar hapësirën përreth shtëpisë.
Në afërsi të oborrit është gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë, e cila pritet të shërbejë si provë materiale gjatë hetimeve.
Një tjetër rrethanë që mund ta vështirësojë zbardhjen e ngjarjes është fakti se, sipas denoncuesit, kamerat e sigurisë në atë lokacion nuk kanë qenë funksionale.
Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Përdorim i armës”.
Ende nuk dihet kush ka shtënë, në çfarë drejtimi është qëlluar dhe nëse të shtënat kanë pasur lidhje me ndonjë mosmarrëveshje të mëhershme.
Hetimet po vazhdojnë për identifikimin e personit të dyshuar dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.