Një rast i rëndë me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e 23 shtatorit në Mazgit të Obiliqit, ku një person dyshohet se ka shtënë në drejtim të njërit prej ankuesve dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Megzon Sefedinin, 37-vjeçar, i cili po kërkohet lidhur me rastin e ndodhur në rrugën “Afrim Zhitia”.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 18:30 njëri prej personave të përfshirë është paraqitur dhe ka deklaruar se Sefedini kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante, hetuesit dhe Forenzika Regjionale, ku janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të kalibrit 7.62×39 mm.
Nga dëshmitarët e rastit Sinjali ka mësuar se në rast si viktima janë V.B. A.M.dhe V.S..
Me udhëzim të Prokurorit kujdestar është kryer bastisje në shtëpinë e të dyshuarit, por ai nuk është gjetur dhe aktualisht ndodhet në kërkim.
Rasti po trajtohet për veprat penale “Vrasje e rëndë në tentativë”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Kanosja”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.