Një aheng familjar në Vushtrri ka marrë tjetër drejtim mbrëmjen e së enjtes, pasi të shtënat me armë kanë çuar Policinë deri te shtëpia ku po mbahej dasma, mëson Sinjali.
Rasti ka ndodhur më 20 gusht, rreth orës 22:00, në rrugën “Haxhi Zeka” në Vushtrri.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Policia kishte pranuar informacion se gjatë një dasme po kishte të shtëna me armë zjarri. Njësitet policore janë nisur drejt lokacionit dhe kanë arritur ta identifikojnë shtëpinë ku po zhvillohej ahengu.
Pas kontaktit me pronarin e shtëpisë, Blerim Lahi, 53 vjeçar, ai ka bashkëpunuar me zyrtarët policorë dhe ka dorëzuar një armë të shkurtër, e cila dyshohet të jetë armë me gaz.
Bashkë me armën është dorëzuar edhe një karikator i kalibrit 9 mm, ndërsa gjatë veprimeve në vendngjarje Policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe dy gëzhoja, që dyshohet se i përkasin së njëjtës armë.
53-vjeçari është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar nga Njësia e Hetimeve lidhur me rrethanat e të shtënave.
Pas intervistimit dhe konsultimit me Prokurorin kujdestar, ndaj Lahit është marrë vendim për ndalim prej 48 orësh.
Rasti është iniciuar për veprat “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.