Një incident me armë zjarri ka ndodhur në Prishtinë, ku një person ende i paidentifikuar dyshohet se ka nxjerrë armën dhe ka shtënë tri herë në ajër, para se të largohej në këmbë nga vendi i ngjarjes.

Sinjali mëson se rasti është regjistruar në rrugën “Afrim Loxha”, përballë lokalit “AAM”, ndërsa një dëshmitare ka dhënë informacione për atë që kishte parë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, i dyshuari ishte i veshur me të zeza dhe, derisa ndodhej përballë lokalit, dyshohet se ka nxjerrë një armë të shkurtër dhe ka shtënë tri herë në ajër.

Pas të shtënave, personi është larguar në këmbë në drejtim të rrugës “Nazim Gafurri”, ndërsa deri në këtë fazë identiteti i tij nuk është bërë i ditur.

Fatmirësisht, nga të shtënat nuk raportohet për persona të lënduar dhe as për dëme materiale.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse policore dhe forenzika. Gjatë ekzaminimit të lokacionit janë gjetur dhe sekuestruar tri gëzhoja të kalibrit 7.62 mm, të cilat do të shërbejnë si prova në hetimin e rastit.

Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kujdestar i Departamentit të Përgjithshëm, me udhëzim të të cilit është iniciuar rasti “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Policia po punon për identifikimin e personit të dyshuar dhe zbardhjen e rrethanave të incidentit.