Një incident i rëndë me armë zjarri ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, 5 shtator, në Prishtinë, ku një 23-vjeçar është plagosur me katër plumba pas një konflikti që dyshohet se kishte nisur brenda diskotekës “LIT”, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është A.B, ndërsa njëri prej personave që dyshohet se është përfshirë në plagosjen e tij është identifikuar si Ylber Tupalla, rreth 24-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, te diskoteka “LIT”, në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ngjarjes i ka paraprirë një mosmarrëveshje brenda lokalit, pas së cilës situata ka eskaluar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

A.B. dyshohet se është qëlluar katër herë – tri herë në këmbën e majtë dhe një herë në pjesën e majtë të abdomenit.

Pas plagosjes, 23-vjeçari është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ku po merr trajtim mjekësor.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, Hetimet Rajonale dhe Krim-Teknika, të cilat kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë sekuestruar provat që mund të ndihmojnë në zbardhjen e rastit.

Hetuesit kanë sekuestruar edhe DVR-në e diskotekës “LIT”, ndërsa pamjet e kamerave tashmë janë në duart e Policisë.

Bazuar në pamjet e siguruara dhe deklaratat e dëshmitarëve, hetuesit dyshojnë se në rast kanë marrë pjesë dy persona. Njëri prej tyre është identifikuar si Ylber Tupalla, ndërsa identiteti i personit të dytë ende nuk është zbuluar nga Sinjali.

Pas të shtënave, dy të dyshuarit dyshohet se janë larguar nga vendi i ngjarjes me një Volkswagen Golf 7, ngjyrë hiri, duke ikur në drejtim të rrugës “Lidhja e Pejës”.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar tre dëshmitarë, përfshirë personin që e kishte transportuar të plagosurin në QKUK.

Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare për Krime të Rënda, e cila ka udhëzuar inicimin e rastit si “Vrasje në tentativë” dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme hetimore.

Policia tashmë është vënë në kërkim të të dyshuarve, ndërsa po punohet edhe për identifikimin e personit të dytë që dyshohet se mori pjesë në sulm.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.