Një rast i rëndë dhune është raportuar mbrëmjen e 21 shtatorit në rrugën “Adem Voca” në Mitrovicë të Jugut, ku një 37-vjeçare ka denoncuar se është sulmuar fizikisht nga partneri me të cilin bashkëjeton prej rreth tetë vitesh dhe nga vëllai i tij.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se viktima, V. R., ka deklaruar se gjithçka ka nisur pas një mosmarrëveshjeje lidhur me një borxh të vjetër.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ajo dyshohet se fillimisht është sulmuar nga partneri i saj, O.B., 44-vjeçar, ndërsa në të njëjtën kohë ndaj saj dyshohet se ka ushtruar dhunë edhe vëllai i tij, S.B, 50-vjeçar.

Si pasojë e goditjeve, 37-vjeçarja ka pësuar frakturë në hundë dhe është dërguar për trajtim mjekësor.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me rekomandimin e të cilit të dy të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Rasti është iniciuar për “Lëndim të rëndë trupor”, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.