Një pretendim për keqtrajtim nga zyrtarët korrektues në Qendrën e Paraburgimit në Mitrovicën e Veriut ka marrë kthesë krejt tjetër pasi hetuesit kanë siguruar pamjet e kamerave të sigurisë.

Sinjali mëson se i paraburgosuri Valmir Ademi, 27-vjeçar, ka raportuar më 11 shtator, rreth orës 13:50, se ishte goditur nga një zyrtar korrektues brenda qendrës.

Pretendimi ka aktivizuar menjëherë hetuesit rajonalë, të cilët, me autorizim të Prokurorit kujdestar të Shtetit, kanë nisur verifikimin e rastit dhe kanë intervistuar Ademin në cilësinë e të dyshuarit.

Ai ka deklaruar se ndaj tij ishte përdorur forcë fizike nga një zyrtar korrektues.

Por pamjet e sigurisë kanë çuar hetimin në drejtim tjetër.

Hetuesit kanë marrë video-incizimet nga Qendra e Paraburgimit dhe, sipas të dhënave të rastit, nga to nuk rezulton që zyrtari korrektues të ketë përdorur forcë fizike ndaj të paraburgosurit.

Pas shqyrtimit të pamjeve dhe veprimeve të tjera fillestare hetimore, rasti ka marrë një epilog të papritur për vetë denoncuesin.

Me udhëzim të Prokurorit kujdestar të Shtetit, ndaj Ademit është iniciuar procedurë nën dyshimin për veprën penale “Lajmërim apo kallëzim i rremë”.

Rasti vazhdon të jetë nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.