Një incident i rëndë është raportuar mbrëmjen e 21 shtatorit në magjistralen Ferizaj–Prishtinë, pranë kafiterisë “VB-OIL”, ku një 32-vjeçar është sulmuar me një mjet të fortë, dyshohet kaçavidë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti është raportuar rreth orës 22:40, në fshatin Prelez i Muhaxherëve.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, viktima, Driton Nuha, 32-vjeçar, ka deklaruar se është sulmuar brenda kafiterisë nga dy persona, të cilët dyshohet se e kanë goditur me kaçavidë dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Nuha është dërguar në Emergjencën e Ferizajt për trajtim mjekësor.
Në lokacion kanë dalë edhe hetuesit, të cilët kanë kryer ekzaminimin e vendit të ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet fillestare hetimore.
Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit është iniciuar procedura për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Rasti i është kaluar Njësisë së Hetimeve për procedura të mëtejshme, ndërsa dy të dyshuarit mbeten për t’u identifikuar dhe lokalizuar.