Një ngjarje e rëndë ka ndodhur të enjten, më 3 shtator, para Gjykatës në Viti, ku një konflikt mes personave që po prisnin për një seancë gjyqësore ka përfunduar me therje me thikë. Një person ka mbetur i plagosur, një tjetër është arrestuar, ndërsa personi që dyshohet se e përdori thikën është ende në arrati, merr vesh Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se viktima është Ramiz Ramizi, 26-vjeçar, ndërsa si të dyshuar në këtë rast janë identifikuar Qlirim Ahmeti, 26-vjeçar, dhe Leutrim Ahmeti, 34-vjeçar.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:10, në rrugën “Adem Jashari” në Viti, para objektit të Gjykatës.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, personat e përfshirë në rast ndodheshin aty duke pritur për një seancë gjyqësore, kur mes tyre ka shpërthyer konflikti.

Përplasja ka eskaluar deri në përdorimin e thikës.

Leutrim Ahmeti dyshohet se e ka therur Ramizin me thikë dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.

Policia është vënë në kërkim të tij, por deri më tani ai nuk është lokalizuar dhe ndodhet në arrati.

Ndërkohë, i dyshuari tjetër, Qlirim Ahmeti, është arrestuar. Ai është shoqëruar në zyrat e hetuesve, ku është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit dhe, me vendim të prokurorit, është dërguar në ndalim për 48 orë.

Viktima fillimisht është dërguar me urgjencë për trajtim mjekësor në Viti, ndërsa më pas është transferuar në Spitalin Rajonal në Gjilan. Sipas informacioneve të fundit, gjendja e tij shëndetësore është stabile.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit rajonalë dhe Krim-Teknika, të cilët, në koordinim me Prokurorin e Shtetit, kanë kryer ekzaminimin e vendit dhe veprimet e para hetimore.

Në kuadër të hetimeve janë intervistuar edhe dy dëshmitarë, si dhe viktima.

Rasti është iniciuar si “Vrasje në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të incidentit, përfshirë rolin e secilit prej të dyshuarve dhe motivin e konfliktit.

Policia ndërkohë po vazhdon kërkimet për Leutrim Ahmetin, i cili dyshohet se kreu therjen dhe u largua nga vendi i ngjarjes.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.