Një ngjarje jashtëzakonisht e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së dielës në Poterq të Epërm të Klinës, ku një burrë dyshohet se ka sulmuar nënën dhe motrën e tij, duke u shkaktuar lëndime të rënda, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 6 shtator, rreth orës 18:30, ndërsa i dyshuari është Berat Zeneli, rreth 35-vjeçar.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rrethanat e para të rastit janë tejet të rënda. Zeneli dyshohet se i ka vënë flakën shtratit ku ndodhej motra e tij, Ganimete Zeneli, 42-vjeçare, e cila prej një kohe ishte e palëvizshme.
Në të njëjtën ngjarje, ai dyshohet se ka sulmuar edhe nënën e tij, Zojë Zeneli, 81-vjeçare, duke e goditur me një mjet të fortë e të mprehtë, i cili në fazën fillestare të hetimeve nuk ishte identifikuar.
Menjëherë pas raportimit, njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Klinë.
Në raportin fillestar policor thuhet se i dyshuari ka probleme të shëndetit mendor. Rrethanat dhe gjendja e tij pritet të jenë pjesë e hetimeve dhe vlerësimeve të mëtejshme nga organet kompetente.
Të dyja viktimave u është dhënë ndihma e parë në vendin e ngjarjes, ndërsa për shkak të lëndimeve të rënda janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal të Pejës për trajtim të mëtejshëm.
Në vendin e ngjarjes janë angazhuar njësitë përkatëse policore, ndërsa për rastin janë njoftuar edhe Hetimet dhe Forenzika Rajonale.
Rasti fillimisht është iniciuar si “Vrasje e rëndë në tentativë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të motivit dhe rrethanave të kësaj tragjedie familjare.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.