Një ngjarje e rëndë ka prekur një familje në Korminjan të Poshtëm të Ranillugut, ku një grua 53-vjeçare është gjetur pa shenja jete pasditen e së mërkurës.

Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti është raportuar më 19 gusht, rreth orës 17:20, kur Policia është njoftuar se një grua dyshohej se i kishte dhënë fund jetës.

Njësitet policore janë nisur menjëherë drejt lokacionit dhe, me të mbërritur, kanë hasur gruan pa shenja jete në oborrin e shtëpisë.

Në vendngjarje është kërkuar menjëherë edhe ndihma e ekipit emergjent, ndërsa zona është siguruar për zhvillimin e veprimeve hetimore.

Rreth orës 17:30 ka mbërritur ekipi mjekësor. Pas ekzaminimit të 53-vjeçares, mjekët kanë konstatuar vdekjen e saj.

Rasti ka mobilizuar më pas edhe Njësinë Rajonale të Hetimeve, ndërsa në vendngjarje ka dalë personalisht edhe Prokurori i Shtetit, nën drejtimin e të cilit kanë vazhduar procedurat për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Më vonë, në lokacion ka mbërritur edhe ekipi i mjekësisë ligjore nga Prishtina.

Pas përfundimit të ekzaminimeve fillestare, trupi i pajetë i 53-vjeçares është tërhequr nga vendngjarja dhe është dërguar për obduksion, i cili do të ndihmojë në përcaktimin e shkakut dhe rrethanave të vdekjes.

Informacionet fillestare ngrenë dyshimin se bëhet fjalë për vetëvrasje. Për shkak të ndjeshmërisë së ngjarjes dhe respektit ndaj të ndjerës dhe familjes së saj, hollësitë mbi mënyrën konkrete të vdekjes nuk po i bëjmë pjesë të raportimit.

Hetuesit rajonalë po vazhdojnë trajtimin e rastit.