Tre të mitur janë arrestuar pas një përleshjeje në rrugën “Agim Qela”, ku një person dyshohet se është therur me thikë, ndërsa një tjetër ka pësuar lëndime të lehta trupore.

Sipas Policisë, të dyshuarit, të gjithë meshkuj kosovarë, pas përleshjes dyshohet se kanë sulmuar me thikë njërën nga viktimat. Të dy viktimat janë dërguar për tretman mjekësor.

Gjatë veprimeve policore, nga të dyshuarit është konfiskuar një thikë dhe një pistoletë me gaz.

Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje.

Rasti po hetohet për lëndim të rëndë trupor, lëndim të lehtë trupor dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.