Tri raste të dhunës në familje janë raportuar më 11 tetor në Prishtinë, Rahovec dhe Gjakovë, ku viktimat kanë denoncuar sulme fizike, presion psikik dhe sjellje agresive nga familjarët e tyre.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në Prishtinë, rreth orës 09:00, A.H. është paraqitur në Polici dhe ka denoncuar djalin e tij, P.H., për sjellje agresive dhe kërkesa për para.

Sipas deklarimit të babait, djali i tij është përdorues i substancave narkotike dhe edhe më parë dyshohet se e kishte sulmuar fizikisht, për çka ekzistojnë raste të raportuara. Pas intervistimit në prani të avokatit, P.H. është ndaluar për 48 orë.

Një tjetër rast është raportuar në Celinë të Rahovecit, ku E.D. ka deklaruar se për një kohë të vazhdueshme kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike nga bashkëshorti i saj, M.D.

Sipas viktimës, ai e fyente, e shante dhe ushtronte presion të vazhdueshëm ndaj saj, ndërsa mes tyre kishte pasur edhe kontakt fizik. Ajo ka pranuar trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve për të cilat është ankuar.

Me kërkesën e saj, E.D. është larguar nga shtëpia bashkë me katër fëmijët, ndërsa me asistimin e Qendrës për Punë Sociale është vendosur përkohësisht te një shoqe në Gjakovë. M.D. është ndaluar për 48 orë.

Rasti i tretë është raportuar në rrugën “Dëshmorët e Dujakës” në Gjakovë, ku D.K. ka deklaruar se bashkëshorti i saj, M.Z., e kishte goditur me shuplakë në fytyrë.

Gruaja është dërguar në spital, por ka refuzuar strehimin dhe urdhrin mbrojtës, duke vendosur të kthehet te fëmijët e saj.

Policia ka kërkuar M.Z. në disa lokacione, por nuk ka arritur ta lokalizojë. Ai vazhdon të kërkohet, ndërsa rasti mbetet nën hetime.

Të tri rastet po trajtohen në koordinim me Prokurorin e Shtetit.