Një rast jashtëzakonisht i ndjeshëm që nisi si raportim për zhdukjen e një vajze 13-vjeçare, tashmë po hetohet nga organet e drejtësisë nën dyshimet për veprën penale “Dhunimi”, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rasti nisi më 6 shtator, kur në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë u raportua zhdukja e të miturës O.M.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, nëna e saj kishte deklaruar se një ditë më parë, më 5 shtator, rreth orës 19:30, derisa ndodheshin në parkun e Taukbahçes, vajza ishte larguar dhe familja më pas nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e saj. Komunikimi me të ishte ndërprerë.
Rasti mori një drejtim tjetër sot, më 7 shtator, kur nëna është paraqitur sërish në stacion policor, këtë herë së bashku me vajzën.
Për shkak të moshës së saj dhe ndjeshmërisë së rastit, e mitura është intervistuar në prani të prindit, zyrtarëve të Qendrës për Punë Sociale, psikologes dhe hetuesve policorë.
Sipas burimeve të Sinjalit, gjatë deklarimit të saj, 13-vjeçarja ka treguar se më 5 shtator ishte takuar me një të mitur me inicialet D.K., me të cilin më pas kishte shkuar në një banesë në lagjen Emshir, ku kishin qëndruar rreth 12 orë.
E mitura ka deklaruar se gjatë kësaj kohe ka pasur marrëdhënie seksuale me të dyshuarin. Pavarësisht deklarimit të saj lidhur me rrethanat në të cilat ka ndodhur marrëdhënia, për shkak të moshës së saj rasti është marrë në trajtim nga Prokuroria dhe është iniciuar si “Dhunim”.
Burimet bëjnë të ditur se vajzës i është ofruar edhe trajtim mjekësor, pasi gjatë intervistimit ka deklaruar se kishte dy lëndime në trup.
Për rastin është njoftuar Prokurorja kujdestare e Departamentit për të Mitur, me udhëzimin e së cilës është iniciuar procedura penale për veprën “Dhunimi”.
Hetimet tashmë po vazhdojnë në koordinim me Prokurorinë për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.
Shënim: Sinjali nuk publikon identitetin apo të dhëna të tjera që mund të çojnë në identifikimin e të miturës, për shkak të moshës dhe natyrës së rastit.