Pjesëtarë shumëkombësh të Komandës Rajonale-Lindje, në kuadër të misionit të KFOR-it, kanë marrë pjesë në marshimin stërvitor “Norwegian Foot March” në Camp Bondsteel.
Gjatë këtij aktiviteti sfidues, pjesëmarrësit përshkuan një distancë prej 18.6 miljesh, apo rreth 30 kilometrash, duke bartur çanta ushtarake brenda kohës së përcaktuar.
Sipas KFOR-it, stërvitja kishte për qëllim testimin e qëndrueshmërisë, vendosmërisë dhe punës ekipore të ushtarëve.
Aktiviteti synon gjithashtu rritjen e rezistencës fizike, forcimin e bashkëpunimit mes pjesëtarëve dhe përmirësimin e partneritetit ndërmjet njësive shumëkombëshe.
KFOR-i bëri të ditur se përmes aktiviteteve të tilla personeli ruan nivel të lartë gatishmërie dhe ndërveprueshmërie, duke e përforcuar bashkëpunimin brenda forcës.
Misioni i NATO-s ka ritheksuar përkushtimin për garantimin e një ambienti të sigurt dhe lirisë së lëvizjes për të gjithë qytetarët e Kosovës, në koordinim me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in.