Punëtori i KEK-ut, Arbenit Ahmeti, ka humbur jetën sot pas një aksidenti në vendin e punës, ndërsa një person me inicialet A.K. është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për rrezikim të sigurisë në vendin e punës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se Prokurori kujdestar nga Departamenti i Përgjithshëm është njoftuar rreth orës 14:50 lidhur me aksidentin.

Sipas të dhënave fillestare, aksidenti ka ndodhur gjatë angazhimit në transportin dhe zhvendosjen e kabllove 6kV, me ç’rast viktima dyshohet se ka rënë në kontakt me tensionin elektrik dhe ka pësuar lëndime të rënda, të cilat i kanë marrë jetën.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet përkatëse të Policisë së Kosovës, Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), Inspektorati i Punës dhe Inspektorati i Brendshëm i KEK-ut.

Me urdhër të Prokurorit kujdestar, këto institucione kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për ndriçimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që kanë çuar deri te humbja e jetës së punëtorit.