Një mosmarrëveshje mes dy vëllezërve ka eskaluar në dhunë fizike në orët e para të mëngjesit në Prishtinë, ku shkak dyshohet të kenë qenë vetëm 45 euro.

Sinjali mëson se i dyshuari është Rr. K rreth 22 vjeçar ndërsa viktimë J. K. rreth 25 vjeçar.

Sipas burimeve, Policia është njoftuar rreth orës 01:30 se disa persona po përlesheshin në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë. Me të mbërritur në vendin e ngjarjes, zyrtarët policorë kanë takuar dy vëllezërit dhe babanë e tyre.

Viktima ka deklaruar se kishte dalë për ta ndaluar vëllain, pasi dyshonte se ky i fundit ia kishte marrë 45 euro nga kuleta. Fillimisht mes tyre kishte pasur debat dhe shkëmbim fjalësh, por situata kishte dalë jashtë kontrollit.

Sipas denoncimit, Rr. K. dyshohet se e ka goditur vëllain me grushte në kokë, e më pas edhe me shqelma, derisa dhuna është ndërprerë vetëm pas ndërhyrjes së babait të tyre, i cili kishte arritur t’i ndajë.

Për rastin është njoftuar Njësia për Hetimin e Dhunës në Familje, ndërsa në konsultim me Prokurorin e Departamentit për Dhunë në Familje, është iniciuar procedurë për veprën penale “Dhunë në familje”.

Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të rastit janë në vazhdim.