Dy shtetas të Republikës së Shqipërisë janë arrestuar nën dyshimin se qëndrojnë prapa një vjedhjeje të rëndë në një xhami në Lipjan, ku cak i hajdutëve ishte arka me paratë e bamirësisë, merr vesh Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se të arrestuarit janë Besmir Kurti, 31 vjeçar dhe Arif Manqe, 39 vjeçar.
Rasti kishte ndodhur më 5 shtator, rreth orës 14:05, në rrugën “Fehmi Agani” në Lipjan.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth 40 minuta më vonë në Stacionin Policor është paraqitur arkëtari i xhamisë, i cili ka raportuar vjedhjen.
Nga pamjet e kamerave të sigurisë dyshohet se një person kishte hyrë në xhami dhe me forcë kishte hapur arkën ku ruheshin paratë e bamirësisë, duke marrë një shumë parash, vlera e së cilës ende nuk është përcaktuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore dhe hetuesit, ndërsa rasti fillimisht është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”.
Por hetimet e Policisë kanë çuar brenda pak orësh te identifikimi i personave të dyshuar.
Sipas burimeve të Sinjalit, pas veprimeve operative dhe hetimore, Policia ka identifikuar Kurtin dhe Manqen, të cilët janë arrestuar rreth orës 21:00 dhe janë shoqëruar në stacion policor.
Të dy janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Pas përfundimit të procedurave policore, dy të dyshuarit janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Ferizaj.
Sinjali mëson se të dy personat e arrestuar janë shtetas të Republikës së Shqipërisë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.