Policia e Kosovës në veri ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, të raportuar më 20 gusht në Leposaviq.
Sipas Policisë, ankuesi ka deklaruar se persona të panjohur kishin depërtuar në shtëpinë e tij gjatë kohës kur aty nuk ndodhej askush dhe kishin vjedhur 12 mijë euro, 40 mijë dinarë dhe dy zinxhirë ari.
Rasti është trajtuar nga Njësia Rajonale e Hetimeve në Mitrovicën e Veriut. Pas veprimeve të shpejta hetimore dhe operative, në bashkëpunim edhe me qytetarët, Policia ka identifikuar katër persona të dyshuar.
Tre prej tyre janë arrestuar, ndërsa një tjetër vazhdon të jetë në kërkim.
Në koordinim me Prokurorin e Shtetit, Policia ka kryer kontrolle në adresat e banimit të të dyshuarve.
N.V., i lindur në vitin 2006, është arrestuar në fshatin Borovë të Leposaviqit. Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur një fishek për pistoletë.
Ndërsa N.L., i lindur në vitin 2007, është arrestuar në Leshak, ku gjatë kontrollit i janë gjetur 5 mijë e 300 euro, të cilat dyshohet se janë përfituar nga vjedhja.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
Personi i tretë i arrestuar, D.M., i lindur në vitin 2009, është liruar në procedurë të rregullt.
Policia ka bërë të ditur se nga hetimet në raste të tjera të vjedhjeve është vërejtur se këto raste ndodhin më së shpeshti kur pronarët nuk ndodhen në shtëpitë apo banesat e tyre.
Për këtë arsye, Policia u ka bërë apel qytetarëve që, kur largohen nga shtëpitë, të sigurohen që ato të jenë nën përkujdesjen e një familjari apo personi të besueshëm dhe, kur është e mundur, të mos lënë sende me vlerë pa mbikëqyrje.
Policia ka bërë thirrje që çdo rast i dyshimtë të raportohet në numrin 192.