Një vjedhje me dëm të madh material është raportuar në një punishte në Graçkë të Vogël të Lipjanit, ku gjatë natës janë marrë kabllo me vlerë rreth 30 mijë euro, qindra litra naftë dhe pajisje pune.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se mëngjesin e 1 tetorit, rreth orës 08:50, Policia është njoftuar për vjedhjen në firmën “Eurokos & Diobes”, në rrugën “Ibrahim Rugova”.
Pronari, ka deklaruar se rreth orës 08:30 ishte njoftuar nga një punëtor se gjatë natës ishte depërtuar në punishte dhe ishin marrë materiale e pajisje me vlerë të konsiderueshme.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, autorët ende të panjohur dyshohet se kanë vjedhur pesë rrota me kabllo 4×70, të vlerësuara në rreth 30 mijë euro.
Por dëmi nuk përfundon këtu.
Nga rezervarët e kranit dyshohet se janë marrë edhe rreth 400 litra naftë, si dhe një numër pajisjesh elektrike të markës Makita, vlera e të cilave ende nuk është përcaktuar.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore, hetuesit dhe forenzika, të cilët kanë kryer ekzaminimin e lokacionit dhe kanë nisur mbledhjen e provave.
Një nga elementet që po hetohet është edhe fakti se në punishte kishte sigurim fizik gjatë gjithë natës.
Roja ka deklaruar se kishte filluar ndërrimin më 30 shtator rreth orës 17:00 dhe e kishte përfunduar më 1 tetor rreth orës 07:00, por se gjatë gjithë kësaj kohe nuk kishte vërejtur asgjë të dyshimtë.
Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për identifikimin e autorëve dhe zbardhjen e mënyrës se si është kryer vjedhja.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.