Një person është arrestuar në fshatin Kabash të Vitisë, nën dyshimin për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Sipas Policisë, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme në Gjilan, në bashkëpunim dhe në zbatim të urdhëresës së Gjykatës Themelore, ka kontrolluar shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit më 1 tetor.
Gjatë kontrollit janë gjetur dhe sekuestruar një armë e gjatë automatike e llojit AK-47, dy karikatorë me 47 fishekë të kalibrit 7.62×39 mm, si dhe municion i kalibrave 9×19 mm, 7.62×39 mm dhe 7.65×17 mm.
Policia ka sekuestruar gjithashtu një palë dylbi, tre boksa metali, një palë pranga, një çelës për pranga dhe një brisk.
Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.