Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vjedhje e rëndë” në Ferizaj, ndërsa ata dyshohet se janë të përfshirë edhe në një rast vjedhjeje në një xhami në fshatin Nikadin.

Rasti i vjedhjes në xhami ishte raportuar më 5 shtator, ku një person i dyshuar kishte hyrë në objektin fetar, kishte hapur kasafortën me një mjet të fortë dhe kishte marrë para.

Sipas njoftimit të Policisë Rajonale në Ferizaj, më 5 shtator Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Ferizaj, në asistencë të Njësitit të Hetimeve të Stacionit Policor në Lipjan, realizoi një kontroll në një lokacion në qytetin e Ferizajt.

Hajni hyn në xhami në Ferizaj, hap kasafortën dhe vjedh para

Si rezultat i veprimeve hetimore, u arrestuan dy persona, A.M., 39 vjeç, dhe B.K., 31 vjeç.

Policia dyshon se të arrestuarit kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme, përfshirë objekte fetare në territorin e Komunës së Lipjanit.

“Si rezultat i veprimeve hetimore, janë arrestuar dy persona, të dyshuar për kryerjen e veprës penale ‘Vjedhje e rëndë’, të cilët dyshohet se kanë kryer vjedhje në disa lokacione të ndryshme”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Gjatë verifikimit, policia ka konstatuar se dy të dyshuarit dyshohet se janë të përfshirë edhe në rastin e vjedhjes së rëndë të raportuar në xhaminë e fshatit Nikadin.

Pas arrestimit, të dyshuarit janë dorëzuar për procedura të mëtejme te Njësiti i Hetimeve i Stacionit Policor në Lipjan.

Policia ka bërë të ditur se mbetet e përkushtuar në parandalimin dhe hetimin e rasteve të vjedhjeve, si dhe në identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar për vepra penale.