Një hetim disa mujor për një vjedhje të rëndë në fshatin Kneževo Berdo të Leposaviqit ka çuar në identifikimin e pesë personave të dyshuar, gjetjen e automjetit të vjedhur dhe rikuperimin e një pjese të pajisjeve që ishin marrë nga një shtëpi e pabanuar.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti ishte denoncuar nga R.C, 78-vjeçar, i cili jeton në Serbi dhe kishte raportuar se shtëpia e tij ishte thyer dhe prej saj ishin vjedhur pajisje me vlerë mijëra euro.

Sipas deklarimit të tij, nga prona ishin marrë tre gjeneratorë me fuqi të ndryshme, një multikultivator me kosë, mbushës baterish, brusilica dhe makina me bateri për shpim, një set çelësash, si dhe pajisje të tjera pune.

Përveç tyre, ishte vjedhur edhe një “Lada Niva” e kuqe, pa dokumentacion, të cilën pronari e kishte vlerësuar rreth 1 mijë euro.

Rasti ishte iniciuar si “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet kanë vazhduar deri më 18 shtator, kur hetuesit kanë arritur te një zhvillim i rëndësishëm.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, rreth orës 18:00 është lokalizuar vendi ku ishte fshehur vetura e vjedhur. Automjeti është ekzaminuar dhe më pas i është kthyer pronarit.

Gjatë veprimeve hetimore janë gjetur edhe disa prej pajisjeve të vjedhura, përfshirë një brusilicë elektrike, një makinë me bateri për shpim dhe një kompresor për fryrjen e gomave.

Hetuesit kanë arritur të identifikojnë pesë persona të dyshuar: Goran Živić, Đorđe Đorđević, Nemanja Pavlović, Nikola Savić dhe Jovan Vukojević.

Të pestë janë shoqëruar në stacion policor. Njëri prej tyre nuk ka mundur të intervistohet për shkak se ka qenë nën ndikimin e alkoolit, me rezultat prej 1.05%, ndërsa katër të tjerët janë intervistuar në praninë e avokatëve mbrojtës dhe, sipas burimeve të Sinjalit, kanë pranuar përfshirjen në veprën që po hetohet.

Pas njoftimit të Prokurorit kujdestar, është urdhëruar që katër prej të dyshuarve të dërgohen në mbajtje, ndërsa njëri është liruar për shkak të gjendjes shëndetësore, pasi kishte operuar këmbën e djathtë.

Rasti mbetet nën hetime.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.