Një incident i rëndë dhe me rrethana të dyshimta ka ndodhur pas mesnate në Prishtinë, ku tri vetura dhe një pjesë e një shtëpie janë përfshirë nga zjarri, duke shkaktuar dëme që sipas pronarëve kapin shifrën prej rreth 100 mijë eurosh, raporton Sinjali.

Ngjarja ka ndodhur më 25 gusht, rreth orës 01:10, në rrugën “Selman Lokaj”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rasti lidhet me familjen Qehaja, përkatësisht N. Q dhe djalin e tij, G. Q

Fillimisht Policia është njoftuar për dy automjete të përfshira nga zjarri, por kur patrulla ka mbërritur në lokacion, situata ka rezultuar më serioze – tri vetura po digjeshin në hapësirën e shtëpisë dhe garazhit.

Në vendngjarje kanë intervenuar zjarrfikësit, të cilët kanë arritur t’i shuajnë flakët, ndërsa është dashur të dalë edhe ekipi i KEDS-it për ta ndërprerë furnizimin me energji elektrike në atë zonë.

Përveç automjeteve, zjarri ka përfshirë edhe një pjesë të shtëpisë.

Sipas pronarëve, dëmi i përgjithshëm i shkaktuar llogaritet në rreth 100 mijë euro.

Fatmirësisht, nga zjarri nuk ka persona të lënduar.

Por ajo që familjarët u kanë deklaruar hetuesve ka ngritur dyshime se zjarri mund të mos ketë qenë aksidental.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, N. dhe G. Q kanë deklaruar se ndodheshin brenda shtëpisë kur papritur dëgjuan një zhurmë të madhe.

Ata dyshojnë se zhurma mund të ketë ardhur nga një mjet i tipit “Molotov”.

Kur kanë dalë në oborr, sipas deklarimit të tyre, kanë parë se dy prej veturave kishin marrë flakë fillimisht në pjesën e poshtme, çka i ka shtyrë të dyshojnë se zjarri ishte shkaktuar qëllimisht.

Megjithatë, familjarët kanë deklaruar para Policisë se nuk kanë probleme me ndonjë person.

Në rast janë përfshirë edhe hetuesit rajonalë, ndërsa eksperti i zjarrit pritet të bëjë ekzaminimin e vendngjarjes për të përcaktuar shkakun dhe pikën e nisjes së flakëve.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, i cili ka udhëzuar ndërmarrjen e veprimeve hetimore nën dyshimin për veprën “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”.

Në këtë fazë nuk ka person të identifikuar si të dyshuar, ndërsa pretendimi për “Molotov” mbetet dyshim i familjarëve dhe ende nuk është konfirmuar nga ekspertiza.