Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) kanë arrestuar një zyrtar policor në Gjilan, nën dyshimin se ka kryer veprat penale “sulm”, “lëndim i lehtë trupor” dhe “kanosje”.
Sipas IPK-së, hetimi nisi pas një ankese të pranuar disa ditë më parë në zyrën rajonale të Inspektoratit në Gjilan. Ankesa kishte të bënte me dyshimet se zyrtari policor, derisa ishte jashtë detyrës zyrtare, kishte kryer veprime të kundërligjshme.
Incidenti dyshohet se ka ndodhur të enjten që shkoi, në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Gjilan, ku zyrtari policor, jashtë detyrës, ishte përfshirë në një mosmarrëveshje me disa të rinj.
IPK-ja, në koordinim me Prokurorinë Themelore në Gjilan, ka nisur hetimet lidhur me rastin dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.
Pas veprimeve fillestare, zyrtari policor është arrestuar sot. Me vendim të prokurorit, atij i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Po ashtu, IPK-ja ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor.
Hetimet për këtë rast do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së, në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës.