Një 16-vjeçar kosovar nga kantoni i Aargaut në Zvicër është arrestuar pasi tentoi t’i shmangej policisë me një skuter të vjedhur në autostradën A1. Gjatë ndjekjes, ai kreu disa shkelje të rregullave të trafikut, ndërsa policia i gjeti edhe rreth 50 gramë hashash.

Sipas Policisë Kantonale të Cyrihut, ngjarja ndodhi pak para orës 21:30, kur një patrullë vërejti të miturin duke përdorur telefonin celular gjatë drejtimit të skuterit në autostradën A1.

Edhe pse policët i sinjalizuan të ndalonte, adoleshenti vazhdoi rrugën në autostradën A1, në drejtim të Bernës. Gjatë tentimit për t’u larguar, ai parakaloi një autobus turistik nga ana e djathtë, duke shfrytëzuar korsinë e emergjencës.

Arratisja përfundoi pak para daljes në Dietikon, ku 16-vjeçari humbi kontrollin e skuterit dhe u rrëzua. Pas kësaj, ai tentoi të ikte në këmbë, por u kap nga një zyrtar policor pas disa qindra metrash. Sipas raportimit, i riu nuk pësoi lëndime.

Gjatë ndjekjes, adoleshenti kishte hedhur një qese, në të cilën policia gjeti rreth 50 gramë hashash. Hetimet zbuluan gjithashtu se skuteri ishte i vjedhur dhe se i mituri nuk posedonte patentë shoferi.

Rasti tashmë i është dorëzuar prokurorisë kompetente për të mitur, ndërsa ndaj 16-vjeçarit pritet të zhvillohen procedura penale lidhur me veprat e dyshuara.