Prishtina pritet të pajiset me kamera të reja në 34 lokacione, ndërsa risi në këtë fazë do të jetë edhe vendosja e radarëve për matjen e shpejtësisë.
Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica, ka bërë të ditur se kamerat e reja do të shoqërohen edhe me radarë portativë.
“Do të vendosen kamera në 34 lokacione. Risi është se në këto kamera do të vendosim edhe radarë, të cilët do të jenë edhe radarë portativë”, ka deklaruar Fushtica, në një prononcim të transmetuar nga RTV Dukagjini.
Ndërkohë, në 55 lokacionet ku kamerat tashmë janë funksionale, shkeljet në trafik po identifikohen dhe shoferët po gjobiten.
Zyrtari Vedat Zuka ka bërë të ditur se deri më tani mesatarja është rreth 50 gjoba në ditë.
Në kuadër të projektit është planifikuar edhe funksionalizimi i një qendre të re monitorimi, ku rreth 10 operatorë do t’i përcjellin kamerat 24 orë në ditë.
Synimi për dy vitet e ardhshme është që në Prishtinë të vendosen gjithsej 600 kamera në 200 lokacione.