Një aheng familjar në Prizren ka eskaluar në përleshje me Policinë pas mesnatës, pasi intervenimi për muzikë me zë të lartë dyshohet se përfundoi me sulm ndaj zyrtarëve policorë. Tre persona janë arrestuar, ndërsa dy policë kanë pësuar lëndime, raporton Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se të dyshuarit janë A. Q., 29-vjeçar, A. Q., 47-vjeçar dhe A.B, 43-vjeçar.

Gjithçka nisi rreth orës 00:30 të 30 gushtit, kur Policia mori informacion për muzikë me volum të lartë në rrugën “Besnik Belloda” në Prizren.

Patrulla policore doli në lokacion dhe konstatoi se në një shtëpi po zhvillohej një aheng familjar.

Zyrtarët policorë kontaktuan pronarin e shtëpisë dhe kërkuan që muzika të ndalej, duke e njoftuar se do të vazhdohej me procedurat ligjore.

Por intervenimi, që nisi për muzikën, dyshohet se mori shpejt tjetër drejtim.

Sipas informacioneve që ka Sinjali, policët kanë hasur në rezistencë nga personat e dyshuar, ndërsa situata më pas ka eskaluar deri në sulm fizik ndaj zyrtarëve policorë.

Për shkak të situatës është kërkuar asistencë dhe në vendngjarje kanë mbërritur edhe disa patrulla të tjera policore. Pas intervenimit, tre të dyshuarit janë arrestuar dhe shoqëruar në Stacionin Policor në Prizren.

Nga incidenti kanë mbetur të lënduar dy zyrtarë policorë, të cilët janë dërguar për trajtim në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit.

Sipas raportit mjekësor që e ka parë Sinjali, policët kanë pësuar lëndime të lehta trupore.

Për rastin është njoftuar hetuesi kujdestar dhe, pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, është iniciuar procedura për “Sulm ndaj personit zyrtar”.

Me vendim të Prokurorit, A. dhe A.Q janë ndaluar për 48 orë, ndërsa A. B. është liruar në procedurë të rregullt.