Një aheng familjar në Llapashticë të Poshtme të Podujevës është shoqëruar me të shtëna, çka ka bërë që në vendin e ngjarjes të intervenojë Policia.

Sinjali mëson se i dyshuari është Isak Hasani, rreth 53-vjeçar, i cili para zyrtarëve policorë ka pranuar se kishte shtënë gjatë ahengut.

Rasti është raportuar më 8 gusht, rreth orës 21:30, pasi Policia kishte marrë informacion për të shtëna në një aheng familjar.

Njësia policore ka dalë në lokacion dhe ka kontaktuar të dyshuarin, i cili, sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, ka deklaruar se kishte shtënë me një armë me gaz të tipit ZORAKI 917-T, pikërisht për shkak të ahengut që po mbahej.

Ai më pas ua ka dorëzuar armën zyrtarëve policorë. Në karikator janë gjetur 18 fishekë, ndërsa gjatë kontrollimit të vendit ku dyshohet se ishte shtënë, Policia ka gjetur edhe 23 gëzhoja.

Për rastin është njoftuar Prokurori kujdestar, me udhëzim të të cilit janë iniciuar rastet për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës” dhe “Përdorim të armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Rasti do të trajtohet më tej nga organet kompetente.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.