Një aksident trafiku, ku janë përfshirë katër automjete, ka ndodhur të shtunën mbrëma në rrugën “Ibrahim Mazreku” në Malishevë.

Si pasojë e aksidentit, një zyrtar policor dhe katër persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore dhe janë dërguar për trajtim mjekësor.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj.

Sipas tij, aksidenti ka ndodhur rreth orës 19:40, ndërsa njëri nga automjetet e përfshira ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur zyrtarin policor.

“Rreth orës 19:40, në rrugën ‘Ibrahim Mazreku’ në Malishevë, ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin janë përfshirë katër automjete. Njëri prej automjeteve ka dalë jashtë rrugës dhe ka goditur një zyrtar policor, të cilit i janë shkaktuar lëndime trupore. I njëjti është dërguar për trajtim mjekësor. Po ashtu, deri më tani, për trajtim mjekësor janë dërguar edhe katër persona të tjerë”, ka deklaruar Elezaj.

Ai ka bërë të ditur se njësitë përkatëse policore kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe po zhvillojnë hetime për të sqaruar rrethanat e aksidentit.

“Njësitë përkatëse policore i janë përgjigjur rastit dhe janë duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit”, ka thënë ai.

Ndërkohë, mediumi lokal “Klina.info” ka publikuar pamje nga vendi i ngjarjes.