Një aksident trafiku ka çuar Policinë te një person që rezultonte në kërkim për raste të vjedhjeve, duke përfunduar me ndalimin e tij për 48 orë, mëson Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Azem Rafuna 36-vjeçar, i cili më 15 gusht kishte përfunduar në QKUK në Prishtinë, pasi kishte pësuar lëndime trupore në një aksident trafiku.
Informacioni se Rafuna ndodhej në QKUK ka mbërritur edhe te Sektori i Hetimeve Rajonale, ndërsa pas verifikimit në sistem ka rezultuar se ndaj tij ishte lëshuar kërkim policor për disa raste të vjedhjeve.
Hetuesit janë nisur drejt QKUK-së dhe, pas procedurave përkatëse, 36-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës.
Pas intervistimit, Prokurori i çështjes ka marrë vendim që Rafuna të ndalohet për 48 orë.
Sinjali mëson se një nga rastet për të cilat po trajtohet lidhet me dyshimet për veprën penale “Vjedhje e rëndë”, të ndodhur më 3 nëntor 2024, rreth orës 02:40, në rrugën “Nëna Terezë” në Gjakovë.
Në këtë rast, si viktimë figuron Gj.D rreth 42-vjeçar.
Një tjetër detaj që ka dalë gjatë verifikimeve lidhet me identitetin e të dyshuarit. Në sistem ai rezulton edhe me emrin Azem Avdili, ndërsa sipas të dhënave policore, mbiemri i tij është ndryshuar me vendim nga Avdili në Rafuna.
Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente të hetimeve.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.