Një aksion i njësisë kundër narkotikëve është zhvilluar mbrëmjen e 25 shtatorit në Fushë Kosovë, ku janë arrestuar dy persona dhe janë sekuestruar rreth 4 kilogramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se operacioni është zhvilluar rreth orës 21:00 në rrugën “Nëna Terezë”, ku janë ndaluar Kastriot Vila, 55-vjeçar, dhe Kolë Ndokaj, 65-vjeçar, të dy shtetas të Republikës së Shqipërisë.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, gjatë kontrollit të veturës me targa të Shqipërisë, me të cilën po udhëtonin të dyshuarit, në bagazh janë gjetur dhe sekuestruar rreth 4 kilogramë marihuanë.

Si prova materiale është sekuestruar edhe vetura e përdorur në rast, ndërsa te të dyshuarit janë gjetur edhe 22 mijë e 300 lekë të reja.

Burimet bëjnë me dije se vlera e substancës së sekuestruar në tregun rrugor llogaritet të jetë rreth 10 mijë euro.

Pas përfundimit të operacionit në terren, të dyshuarit dhe provat materiale janë proceduar për veprime të mëtejshme hetimore, ndërsa njësiti i krim-teknikës ka bërë përpunimin e provave.

Me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, ndërsa rasti po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.