Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ushtria e Republikës së Turqisë kanë zhvilluar trajnim të përbashkët në fushën e kërkim-shpëtimit urban, kërkim-shpëtimit në terrene malore dhe operacioneve me qen të kërkim-shpëtimit K9.

Sipas njoftimit të FSK-së, trajnimi është zhvilluar në kuadër të bashkëpunimit me Ushtrinë e Republikës së Turqisë dhe kishte për qëllim avancimin e njohurive dhe aftësive profesionale të pjesëmarrësve, forcimin e bashkëpunimit ndërmjet ekipeve, si dhe shkëmbimin e përvojave praktike në operacionet e kërkim-shpëtimit.

Gjatë trajnimit janë zhvilluar ushtrime teorike dhe praktike, përfshirë teknikat e kërkimit dhe shpëtimit në ndërtesa të dëmtuara, operacionet në terrene malore, përdorimin dhe angazhimin e qenve të kërkim-shpëtimit K9, si dhe procedurat e koordinimit dhe reagimit në situata emergjente.

FSK-ja ka bërë të ditur se trajnimi ka kontribuar në rritjen e kapaciteteve profesionale, gatishmërisë operacionale dhe ndërveprueshmërisë së ekipeve me partnerët në fushën e kërkim-shpëtimit.