Një rast i rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ferizaj, ku një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur nga arma e zjarrit në një parking në rrugën “12 Qershori”.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 03:40, nga Emergjenca në Ferizaj është raportuar se Florent Jakupi, 20-vjeçar, ishte paraqitur me plagë nga arma e zjarrit.

Fillimisht, rrethanat e rastit nuk kanë qenë të qarta.

Një punëtor i parkingut ka deklaruar se pak minuta më herët kishte parë katër persona duke hyrë në objekt dhe më pas kishte dëgjuar një krismë.

Njësitë përkatëse kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa në afërsi është gjetur një çantë në të cilën ndodhej arma që dyshohej se ishte përdorur.

Por video-incizimet nga kamerat e sigurisë kanë dhënë një tjetër pamje të asaj që kishte ndodhur.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, në pamje shihet 20-vjeçari duke lëvizur nëpër parking me një çantë krahu në pjesën e gjoksit. Në një moment ai rrëshqet dhe bie në tokë, ndërsa dyshohet se pikërisht gjatë përplasjes shkrep arma që ndodhej brenda çantës, duke e plagosur atë në këmbën e majtë.

Ky version është mbështetur edhe nga deklarimi i vëllait të tij, i cili ka bërë me dije se para incidentit kishin qenë së bashku me dy persona të tjerë në disa lokale në qytet, ku kishin konsumuar alkool, ndërsa më pas kishin shkuar te parkingu ku i kishin veturat.

Burimet bëjnë me dije se arma e gjetur është e tipit TT.

Gjatë ekzaminimit të çantës, përveç armës, është gjetur dhe sekuestruar edhe një sasi e vogël e substancës së dyshuar narkotike të llojit marihuanë.

Jakupi fillimisht kishte marrë trajtim në Ferizaj dhe më pas është transferuar në QKUK në Prishtinë.

Sipas informacioneve të mëvonshme nga mjekët, predha ka prekur arterien kryesore të këmbës së majtë, ndërsa gjendja e tij është vlerësuar e rëndë.

Rasti është iniciuar për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” dhe “Vetëlëndim”, ndërsa hetimet po vazhdojnë për sqarimin e plotë të të gjitha rrethanave.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.