Një vetaksident trafiku i ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm në Lipjan ka çuar edhe në hapjen e një rasti për posedim të paautorizuar të armës.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 02:10, njësitet e Stacionit Policor në Lipjan kanë asistuar në një vetaksident në magjistralen “Ibrahim Rugova”, ku si pasojë kanë mbetur të lënduar dy persona.

Gjatë kontrollit të veturës për dokumentacion, nën ulësen e shoferit është gjetur një armë e tipit Special 38, me numër serik W-177203, së bashku me katër fishekë S&B, kalibër .38.

Arma dhe municioni janë sekuestruar.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, lidhur me armën si i dyshuar figuron Leonard Doroci, 23-vjeçar.

Me rastin e vetaksidentit po merret njësia e trafikut, ndërsa për armën është hapur veçmas rasti për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.