Detaje të reja janë zbardhur nga një aksion i Njësisë së Antidrogës në Pestovë të Vushtrrisë, ku një zyrtar policor është goditur nga një veturë gjatë përpjekjes për ta ndaluar atë, ndërsa në një moment polici ka përdorur a*mën e tij, mëson Sinjali.
Ngjarja ka ndodhur më 11 gusht, rreth orës 16:20, gjatë një operacioni të Antidrogës, ku në asistim ishin angazhuar edhe zyrtarë të Stacionit Policor në Vushtrri.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në këtë rast janë arrestuar Leotrim Behrami, 25 vjeçar, Luki Sahiti, 52 vjeçar dhe Flamur Sahiti, 34 vjeçar.
Sipas informacioneve të rastit, gjatë aksionit është identifikuar një veturë në lëvizje si e dyshimtë. Kur zyrtarët policorë kanë tentuar ta ndalojnë, drejtuesi i saj dyshohet se i është vërsulur njërit prej policëve dhe e ka goditur me veturë.
Në ato momente, sipas burimeve, zyrtari i goditur ka shtënë me a*më në vetëmbrojtje, por nga të shtënat nuk është goditur askush.
Polici i lënduar ka marrë trajtim mjekësor.
Vetura më pas është ndaluar, ndërsa Njësia e Antidrogës ka arrestuar tre personat e dyshuar. Në mesin e tyre është edhe Leotrim Behrami, i cili figuron si drejtuesi i automjetit.
Të tre janë ndaluar për 48 orë me vendim të Prokurorit, në lidhje me rastin që po trajtohet nga Njësia e Antidrogës.
Ndërkohë, rasti që lidhet me incidentin ndaj policit ka marrë një zhvillim të ri. Pas analizimit të provave dhe konsultimit me Prokurorin e Shtetit, ai është rikualifikuar nga “Pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare” në “Sulm ndaj personit zyrtar”.
Behrami është intervistuar në praninë e avokatit mbrojtës, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.