Operacioni i gjerë policor me përmasa ndërkombëtare, i cili ka nisur mëngjesin e sotëm në disa lokacione në Prishtinë, Ferizaj dhe Fushë Kosovë, ka rezultuar me arrestimin e së paku tre personave, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se në kuadër të këtij aksioni janë arrestuar personat me inicialet I.H., A.G. dhe M.P.
Gjatë operacionit, i cili po zhvillohet nën dyshimet për shpëlarje të parave dhe veprimtari kriminale me shtrirje ndërkombëtare, janë sekuestruar edhe vetura dhe pajisje kompjuterike, të cilat pritet të shërbejnë si prova materiale në kuadër të hetimeve.
Siç raportoi më herët Sinjali, aksioni po realizohet nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit e Policisë së Kosovës, në kuadër të një hetimi të udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës.
Bastisjet po zhvillohen me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, ndërsa operacioni është pjesë e një hetimi të koordinuar me autoritetet ndërkombëtare, përfshirë ato gjermane.
Përmasat ndërkombëtare të operacionit lidhen me dyshimet për një veprimtari të organizuar kriminale, ku hetuesit po synojnë të zbardhin qarkullimin e parave dhe lidhjet e mundshme financiare mes personave të përfshirë.
Hetimet pritet të përfshijnë edhe analizimin e pajisjeve të sekuestruara, komunikimeve dhe dokumentacionit që mund të ndihmojë në identifikimin e mekanizmave të dyshuar financiarë.
Deri më tani nuk janë bërë publike detaje të tjera lidhur me rolin e personave të arrestuar, vlerën e pasurisë së sekuestruar apo dyshimet konkrete ndaj tyre.
Operacioni dhe veprimet hetimore janë në zhvillim, ndërsa priten informacione të tjera zyrtare lidhur me rezultatet e aksionit.
Gazeta Sinjali do të raportojë për zhvillimet e reja sapo të sigurojë informacione shtesë.