Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj A.D., i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile në Komunën e Kaçanikut gjatë luftës në Kosovë.

Sipas aktakuzës, A.D., në cilësinë e zyrtarit policor në Stacionin Policor në Kaçanik, më 9 mars 1999, në fshatin Ivajë dhe fshatrat përreth, dyshohet se në bashkëkryerje me persona të tjerë ende të paidentifikuar, pjesëtarë të forcave policore dhe ushtarake serbe, ka kryer veprime ndaj popullsisë civile shqiptare që përfshijnë torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë dhe dëbim.

Sipas Prokurorisë, forcat serbe fillimisht e kishin rrethuar fshatin Ivajë, ndërsa më pas banorët ishin detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Shtëpitë e tyre dyshohet se më pas janë djegur dhe shkatërruar.

Në vazhdim, burrat ishin ndarë nga gratë dhe ishin dërguar në Stacionin Policor në Kaçanik. Nga 91 persona të ndaluar, 78 prej tyre janë liruar, ndërsa 13 të tjerë janë mbajtur për t’u marrë në pyetje.

Sipas aktakuzës, dyshohet se 13 personat e ndaluar janë rrahur dhe torturuar nga A.D. dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar.

Përveç veprës penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”, A.D. akuzohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Lënda është dorëzuar për shqyrtim në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Departamenti Special.

I pandehuri A.D. ndodhet në paraburgim.