Kosova ka kaluar një tjetër 24-orësh të ngarkuar me plagosje me armë zjarri, operacione policore, fajde, armë të vjedhura, raste të dhunës dhe ndërhyrje të Policisë në disa qytete.
Një person u plagos me armë zjarri në Fushë Kosovë, ndërsa i dyshuari ende nuk është kapur. Në Prizren, një operacion kundër fajdesë çoi në arrestimin e dy personave, ndërsa në Klinë një 23-vjeçar u gjet pa shenja jete.
Në Gjilan, persona të panjohur hynë me forcë në një vilë dhe vodhën një pushkë gjuetie bashkë me municion e mjete pune. Ndërkohë, raste të tjera u raportuan në Mitrovicë të Veriut dhe Prishtinë.
Sinjali ju sjell përmbledhjen e 24 orëve të fundit.
Fushë Kosovë – 51-vjeçari plagos 38-vjeçarin, ende në arrati
Një incident me armë zjarri ka ndodhur pasditen e së martës në Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës, ku Xhelal Hoxha, 38-vjeçar, është plagosur në këmbën e djathtë.
Sipas informacioneve të Sinjalit, ndaj tij dyshohet se ka shtënë disa herë me armë zjarri Ekrem Bulliqi, 51-vjeçar.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 9×19 mm, ndërsa Hoxha është dërguar për trajtim në QKUK.
Ai është jashtë rrezikut për jetë dhe, pas trajtimit mjekësor, është liruar për në shtëpi.
Bulliqi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është lokalizuar. Policia ka kryer kërkime dhe ka bastisur edhe adresën e tij në Prishtinë, por pa sukses.
Rasti po hetohet për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Prizren – arrestohen Visar Hasani dhe Drilon Elshani për fajde
Një operacion policor kundër fajdesë është zhvilluar në Prizren, ku janë arrestuar Visar Hasani dhe Drilon Elshani.
Operacioni është zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Prizren, në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Prokurorinë Themelore në Prizren.
Hasani dyshohet për veprat penale “Fajdeja”, “Detyrimi” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Ndërkaq, Elshani dyshohet për “Dhënie të ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”.
Sipas informacioneve të Sinjalit, të dyshuarit dyshohet se për një periudhë të vazhdueshme kanë ushtruar presion ndaj viktimës, me qëllim të realizimit të interesit nga veprimtaria e fajdesë, duke e detyruar atë të veprojë në dëm të pasurisë së tij.
Si pasojë, viktimës dyshohet se i janë shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.
Me aktvendim të Prokurorit të Shtetit, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Klinë – 23-vjeçari gjendet pa shenja jete
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e 29 shtatorit në fshatin Jelloc të Klinës, ku Floralb Zeka, 23-vjeçar, është gjetur pa shenja jete.
Policia është njoftuar rreth orës 06:20, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë patrullat policore dhe ekipi i emergjencës mjekësore.
23-vjeçari ishte gjetur nga një familjar i afërt, i cili kishte kërkuar menjëherë ndihmë.
Sipas informacioneve të Sinjalit, dyshohet se bëhet fjalë për vetëlëndim me pasojë vdekjen.
Pavarësisht reagimit të shpejtë, mjeku kujdestar ka konstatuar vdekjen e tij.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe hetuesit policorë, njësitë rajonale të hetimeve dhe forenzikës.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejshëm.
Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe mbetet nën hetime.
Gjilan – vidhet pushka e gjuetisë dhe 10 fishekë nga një vilë
Një rast i vjedhjes së rëndë është raportuar në fshatin Stanqiq të Gjilanit.
Persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë me forcë në një vilë gjatë natës së 27 dhe 28 shtatorit dhe kanë vjedhur një pushkë gjuetie SARSILMAZ SAGARI, kalibër 12, e cila kishte leje të vlefshme deri më 18 gusht 2029.
Bashkë me armën janë marrë edhe 10 fishekë të kalibrit 12 dhe një çantë me mjete pune.
Policia po punon për identifikimin e të dyshuarve dhe gjetjen e armës së vjedhur.
Mitrovicë e Veriut – fqinji i dëmton pajisjen e zërit me gyp uji
Një mosmarrëveshje mes dy fqinjëve në Mitrovicë të Veriut ka përfunduar me dëmtim të pasurisë.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Ganimete Tërbeshi”, ku ankuesi Stefan Veljkoviq ka raportuar për një përplasje me fqinjin e tij, Sasha Pavloviq.
Sipas informacioneve të Sinjalit, mosmarrëveshja kishte nisur pasi Veljkoviq kishte lëshuar muzikë me zë të lartë në oborrin e tij.
Në një moment, Pavloviq dyshohet se nga oborri i tij ka përdorur një gyp uji dhe ka dëmtuar pajisjen e zërimit të fqinjit.
Dëmi është vlerësuar në rreth 100 euro.
Të dy personat janë shoqëruar në stacion policor dhe janë intervistuar.
Rasti është iniciuar si “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Prishtinë – kolegu i del përpara me thikë, kapet momenti nga kamerat
Një incident serioz mes dy kolegëve është raportuar pranë zyrave të KEDS-it në rrugën “Isa Boletini” në Prishtinë.
E.M. ka deklaruar se derisa po hynte në zyrat e KEDS-it, ishte kanosur me fjalë dhe me thikë nga kolegu i tij, Rijad Ismaili.
Kamerat e sigurisë kanë kapur momentin dhe, sipas informacioneve të Sinjalit, në pamje shihet i dyshuari me thikë në dorë duke lëvizur në drejtim të viktimës.
E.M. është shoqëruar në stacion policor dhe ka marrë edhe ndihmë mjekësore.
Ismaili është kontaktuar nga Policia dhe është udhëzuar të paraqitet në stacion.
Gjatë intervistimit, në prani të avokatit, ai ka pranuar se e kishte pasur thikën, por ka deklaruar se më pas e kishte hedhur diku në Fushë Kosovë.
Hetuesit dhe krim-teknika kanë arritur ta gjejnë dhe sekuestrojnë thikën.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar si “Sulm”, ndërsa i dyshuari është ndaluar për 48 orë.
SINJALI 24 – Kur ti flije, ne e përcollëm Kosovën.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.