Një ngjarje e rëndë ka tronditur mëngjesin e 29 shtatorit fshatin Jelloc të Klinës, ku një 23-vjeçar është gjetur pa shenja jete.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 06:20, Policia në Klinë është njoftuar për rastin, ndërsa në vendin e ngjarjes kanë dalë menjëherë patrullat policore dhe ekipi i emergjencës mjekësore.

Bëhet fjalë për Floralb Zekën, 23-vjeçar, i cili ishte gjetur nga një familjar i afërt.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, dyshohet se bëhet fjalë për vetëlëndim me pasojë vdekjen, ndërsa familjari që e kishte gjetur kishte reaguar menjëherë dhe kishte kërkuar ndihmë.

Pavarësisht reagimit të shpejtë dhe daljes së ekipit emergjent në vendin e ngjarjes, për 23-vjeçarin nuk kishte më shenja jete.

Mjeku kujdestar e ka konstatuar vdekjen pak minuta më vonë.

Në lokacion kanë dalë edhe hetuesit policorë, ndërsa më pas edhe njësitë rajonale të hetimeve dhe forenzikës, të cilat kanë kryer ekzaminimet dhe veprimet e nevojshme procedurale.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit dhe, me urdhër të tij, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim të mëtejshëm.

Rasti është iniciuar si “Hetim i vdekjes” dhe mbetet nën hetime.

Përtej procedurave dhe hetimit që tashmë ka nisur, mbetet një humbje e rëndë për familjen Zeka dhe për të gjithë ata që e kanë njohur 23-vjeçarin.

Sinjali i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve dhe miqve të Floralbit.