Sinjali ka siguruar identitetin e personit që mbeti i plagosur pas të shtënave me armë zjarri pasditen e së martës në Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës.

Bëhet fjalë për Xhelal Hoxhën, 38-vjeçar, i cili është plagosur në këmbën e djathtë pasi ndaj tij dyshohet se është shtënë disa herë me armë zjarri.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 9×19 mm, ndërsa viktima ka marrë trajtim mjekësor në QKUK.

Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Hoxha është jashtë rrezikut për jetë dhe, pas trajtimit, është liruar për në shtëpi.

Për rastin dyshohet E.B., i cili është larguar nga vendi i ngjarjes pas incidentit dhe ende po kërkohet nga Policia.

Njësitë policore kanë kryer kërkime dhe bastisje në adresën e të dyshuarit në Prishtinë, por ai nuk është gjetur.

Rasti është iniciuar për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet po vazhdojnë.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.