Sinjali ka siguruar identitetin e personit të dyshuar për plagosjen me armë zjarri që ndodhi pasditen e së martës në Miradi të Poshtme të Fushë Kosovës.
Bëhet fjalë për Ekrem Bulliqin, 51-vjeçar, i cili dyshohet se ka shtënë disa herë në drejtim të Xhelal Hoxhës, duke e plagosur në këmbën e djathtë.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 9×19 mm, ndërsa viktima është dërguar për trajtim mjekësor në QKUK.
Sipas informacioneve që ka siguruar Sinjali, Hoxha është jashtë rrezikut për jetë dhe pas trajtimit është liruar për në shtëpi.
Ndërkohë, Bulliqi është larguar nga vendi i ngjarjes dhe deri më tani nuk është lokalizuar.
Policia ka zhvilluar kërkime dhe ka bastisur edhe adresën e tij në Prishtinë, por i dyshuari nuk është gjetur.
Rasti po hetohet për “Lëndim të rëndë trupor” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Hetimet po vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.