Një bilanc tragjik është regjistruar në rrugët e Kosovës gjatë tetë muajve të parë të këtij viti, ku 79 persona kanë humbur jetën si pasojë e aksidenteve të trafikut rrugor.
Shifrat e frikshme tregojnë se nga muaji janar deri në gusht janë shënuar gjithsej 74 aksidente me pasoja fatale, ku 22 prej tyre kanë qenë vetaksidente. Nga numri i përgjithshëm i personave që pësuan me jetë, 44 prej tyre ishin vetë drejtuesit e automjeteve.
Lidhur me këtë situatë shqetësuese, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, në një deklarim për Sinjalin ka bërë thirrje urgjente te të gjithë pjesëmarrësit në trafik për kujdes maksimal.
Ai ka apeluar veçanërisht për respektimin e kufizimeve të shpejtësisë, si një nga faktorët kryesorë për parandalimin e tragjedive të reja.
Për të frenuar këtë valë aksidentesh fatale, Policia ka marrë masa të rrepta duke shtuar prezencën në terren, kontrollin intensiv dhe mbikëqyrjen e vazhdueshme në të gjitha akset rrugore të vendit.