Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona të dyshuar për kultivim të bimëve narkotike dhe posedim të paautorizuar të narkotikëve.

Operacioni është zhvilluar mëngjesin e së hënës në fshatin Isniq të Deçanit, me autorizim të Prokurorisë Themelore në Pejë. Aksioni është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Njësiti Antidrogë në Pejë.

Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar shtatë bimë narkotike të kultivuara, 28.6 gramë substancë narkotike të llojit marihuanë, si dhe pajisje të tjera që dyshohet se janë përdorur për përpunimin e substancave narkotike.

Dy personat e arrestuar dyshohen për veprat penale “Kultivim i bimëve narkotike” dhe “Posedim i paautorizuar i narkotikëve”.

Prokuroria Themelore në Pejë, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në parandalimin dhe luftimin e veprimtarive të kundërligjshme që lidhen me narkotikët.