Një informacion për një person që po lëvizte me një armë të gjatë në krah ka vënë në lëvizje Policinë të dielën në Kamenicë.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se rreth orës 13:00, një zyrtar policor ka njoftuar se kishte vërejtur një person me një armë të gjatë duke lëvizur në afërsi të lumit.

Patrulla policore ka dalë në zonë, por personi nuk është hasur në vendin e raportuar.

Pas identifikimit të të dyshuarit si Behar Hajdini, me autorizim të Prokurorit të Shtetit është kontrolluar shtëpia e tij.

Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar një pushkë pneumatike, dy pistoleta pneumatike dhe tri doza me plumba, të evidentuara si “SSP SILVER 2 HEKLER-KOH”.

Të gjitha janë sekuestruar si prova materiale.

Pas konsultimit me Prokurorin e Shtetit, rasti është iniciuar për “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”.

Rasti po vazhdon të hetohet.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.