Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi” dhe “Mashtrim”.

Sipas njoftimit të Policisë, hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kanë ndërmarrë veprime hetimore dhe operative pas pranimit të informatave lidhur me aktivitetet e të dyshuarit, të cilat kanë çuar në arrestimin e tij.

I dyshuari, shtetas kosovar, dyshohet se ka keqpërdorur investimet e një shtetasi të huaj, duke i shkaktuar atij dëm financiar në vlerë prej rreth 500 mijë eurosh.

Me rastin është njoftuar prokurori kompetent, i cili pas intervistimit të të dyshuarit në prani të avokatit mbrojtës ka marrë vendim që ai të ndalohet për 48 orë.

Hetimet për këtë rast janë duke vazhduar.