Kryenegociatori i Kosovës me Bashkimin Evropian, Jeton Zulfaj, ka thënë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të ndodhë kur Serbia të bëhet, siç u shpreh ai, një shtet normal.
Duke folur në forumin “EU Meets the Balkans 5.0” në Sofje, Zulfaj tha se Serbia nuk ka marrë përgjegjësi për krimet e kryera dhe se vazhdon t’i glorifikojë ato.
“Normalizimi me Serbinë do të vijë kur Serbia të bëhet një vend normal. Mendoj se ende nuk është kështu”, tha Zulfaj.
Ai përmendi dialogun Kosovë-Serbi, i cili ka nisur në vitin 2011, si dhe marrëveshjet e arritura ndër vite, përfshirë marrëveshjen e Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe aneksin e dakorduar në Ohër.
Zulfaj tha se pas këtyre zhvillimeve ka pasur, sipas tij, agresionin në Banjskë dhe sulmin ndaj infrastrukturës kritike në Ibër-Lepenc, duke vlerësuar se këto nuk përbëjnë sjellje të një shteti të angazhuar për normalizim.
"Ne kemi një fqinj shumë të vështirë dhe agresiv, i cili nuk ka marrë përgjegjësi për krimet që ka kryer dhe, në vend të kësaj, i glorifikon ato, dhe siç e pamë, tani adhuron një person që ka kryer gjenocid. Pra, kjo është pjesë e problemit në normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë. Dialogu ka nisur në vitin 2011, 15 vjet më parë, ndërsa në vitin 2012 Serbia mori statusin e kandidatit dhe më pas, në vitin 2013, hapi negociatat për anëtarësim. Në vitin 2014, ajo zhvilloi konferencën e parë ndërqeveritare pa i normalizuar marrëdhëniet. Normalizimi kërkon përkushtim, por përkushtim ndaj realitetit dhe vlerave të BE-së, të cilës të gjithë duam t’i bashkohemi", tha ai.
Sipas tij, që atëherë kemi rreth 39 marrëveshje. "E fundit është ajo e Brukselit e 27 shkurtit 2023, dhe më pas patëm një aneks të asaj marrëveshjeje në Ohër. Pastaj ndodhi një sulm terrorist, një agresion nga Serbia në Banjskë, e më vonë edhe ndaj infrastrukturës sonë kritike në Ibër-Lepenc. Pra, kjo nuk është sjellja e një fqinji që dëshiron normalizimin, por e dikujt që është shumë i përkushtuar ndaj pengimit dhe një rruge agresive. Por rruga jonë drejt BE-së është ajo e sundimit të ligjit dhe drejtësisë, reformave dhe përparimit ekonomik, dhe kjo është rruga që po ndjekim. Dhe në këtë proces, mendoj se është shumë e rëndësishme që Serbia të mos bëhet portë për Kosovën. Ju e dini, Serbia ka 35 kapituj dhe kapitulli i fundit është normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën. Pra, ajo mund të vlerësohet për atë që bën në sundimin e ligjit, drejtësi, demokraci, liri dhe mbrojtjen e të drejtave, dhe për të gjitha këto mund të marrë një vlerësim pozitiv nëse i përmbush. Dhe vetëm kapitulli i fundit do të ishte ai ku, duke pasur parasysh qëndrimin e saj agresiv, do të dështonte ta përfundonte. Ndërsa ne ende nuk kemi asnjë kapitull, sepse nuk kemi hapur negociatat për anëtarësim. Prandaj, edhe Kosova mund ta ketë kapitullin e saj, ndërkohë që dialogu zhvillohet paralelisht", tha ai.
Duke shtuar se ne nuk kemi nevojë që Serbia të jetë porta drejt BE-së, sepse BE-ja është porta drejt BE-së.
"Dhe ata që nuk duan t’i bashkohen BE-së, nuk duhet të detyrohen. Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është një proces vullnetar dhe një proces i cili, nga këndvështrimi ynë, e bën vendin tonë më të mirë, e bën energjinë tonë më të pastër, mjedisin tonë më të pastër, ujin tonë më të pastër. Dhe rrugët më të mira dhe, e dini, drejtësia zbatohet në gjykata, kemi sundim të ligjit. Ky është lloji i anëtarësimit që duam dhe që duam ta ndërtojmë në Kosovë. Dhe mendoj se normalizimi me Serbinë do të ndodhë sapo Serbia të bëhet normale. Dhe mendoj se ende nuk është kështu. Dhe kjo është arsyeja pse nuk duhet të mbahemi prapa, sepse nuk është vetëm Kosova që ata po përpiqen ta mbajnë prapa. Ata po përpiqen ta mbajnë prapa të gjithë rajonin, sepse ata vetë nuk janë të interesuar të anëtarësohen. Ata duan partneritet me qendra të shumta, ndërsa ne jemi shumë transatlantikë. Dhe mendoj se kjo është pjesë e problemit në normalizim, sepse ata nuk po jetojnë në realitet", tha ai.